Luftë për vaksinat, BE kundër AstraZenecas: Të publikohet kontrata

Nga A2 CNN
27 Janar 2021, 16:36 | Bota
Luftë për vaksinat, BE kundër AstraZenecas: Të publikohet

Përshkallëzohet sherri për vaksinat mes Bashkimit Europian dhe Astrazenecas. Brukseli i kërkon kompanisë farmaceutike me bazë në Britaninë e Madhe të publikojë detaje të kontratës së firmosur për vaksinat e koronavirusit, mes zemërimit për vonesat në prodhimin e dozave.

BE nuk është e kënaqur me justifikimin që ka ofruar Astrazeneca, por një klauzolë për konfidencialitetin e pengon të publikojë detajet e ujdisë. Në një intervistë, shefi ekzekutiv i kompanisë tha se mbi bazë të kontratës nuk kishin asnjë detyrim ndaj Bashkimit Europian.

Pascal Soriot-Shef i AstraZeneca: Aty shkruhet qartë, se do të bëjmë më të mirën, por nuk ka detyrime afatesh. Vendosëm të përdornim këtë formulë pasi në atë kohë BE donte të kishte të njëjtin kapacitet prodhimi si të Mbretërisë së Bashkuar, edhe pse kontrata u firmos 3 muaj më vonë.

Deklarata duket se ka irrituar edhe më tej Bashkimin Europian, i cili ka ngadalësuar fushatën e imunizimit për shkak të mungesës së dozave. Spanja ka pezulluar për dy javë vaksinimin e popullsisë. Edhe Pfizer me Biontech, që kanë një ujdi edhe më të madhe për prodhimin e vaksinave me BE, kanë njoftuar vonesa në dërgimin e dozave.

Kompania farmaceutike franceze, Sanofi, njoftoi me herët se do të ndihmojë me prodhimin në masë të vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe Biontech.

Marrëveshja e siguruar me Pfizer, e para e këtij lloji në industrinë farmaceutike, parashikon prodhimin e 125 milionë dozave të vaksinës nga Sanofi deri në fund të vitit. Bashkimi Europian ka kërcënuar të bllokojë eksportet e vaksinave të prodhuara në bllok, për të përballuar mungesat.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos