Luftime të ashpra, Putin nuk kursen as personat me aftësi të kufizuara, Ukraina rrëzon një helikopter

Nga A2 CNN
11 Mars 2022, 15:13 | Bota

Ushtria ruse ka bombarduar këtë të premte një shtëpi përkujdesjeje për personat me aftësi të kufizuara pranë qytetit të Kharkiv, kanë bërë të ditur zyrtarë ukrainas.

Oleg Sinegubov, një zyrtar lokal në Kharkiv, ka akuzuar ushtrinë ruse se është duke kryer krime lufte, teksa ka bombarduar godinën ku qëndronin mbi 330 persona në kohën e sulmit. Ai ka shtuar se 63 persona janë evakuuar, ndërsa nuk ka thënë asgjë për rreth 267 të tjerë. Sinegubov theksoi se me dhjetëra nga ata persona kanë nevojë për karrige me rrota.

Ukraina ka thënë këtë të premte se ushtarët rusë kanë vrarë tashmë më shumë civilë sesa ushtarë, por pa dhënë një shifër të saktë.

Të premten, edhe qyteti Dnipro në jug të Kharkivit, u godit në 3 sulme me raketa, ku në një prej tyre u dëmtua edhe një kopsht fëmijësh, një bllok apartamentesh dhe një fabrikë këpucësh.

Në anën tjetër, ushtria ukrainase vazhdon rezistencën, duke bërë të ditur se ka zhvilluar disa ofensiva të suksesshme në qytetin verior Chernihiv, duke marrë nën kontroll 5 fshatra, ndërsa ushtria ruse, raporton Daily Mail, ka pësuar aq shumë humbje saqë nuk ka pasur mundësi të reagojë më. Ndërkohë, janë publikuar edhe pamje të rrëzimit të një helikopteri rus Mi-8. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos