Luftimet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë shkaktojnë me dhjetëra viktima, Turqia kritikon Jerevanin

Nga A2 CNN
27 Shtator 2020, 20:19 | Bota

Konflikti i vjetër territorial mes Armenisë dhe Azerbajxhanit u rikthye sërish mëngjesin e së dielës, ku palët shkëmbyen zjarr, madje edhe me artileri të rënda.

“Reuters” konfirmon se të paktën 16 ushtarë kanë mbetur të vdekur nga luftimet e së dielës, ndërsa më herët Azerbajxhani bëri të ditur se një familje me 5 anëtarë pranë kufirit janë vrarë, ndërsa raportohet edhe për viktima të tjera në radhët e civilëve, por numri i tyre është i paqartë.

Rindezja e konfliktit mes këtyre dy shteteve ka shqetësuar të gjithë liderët botërorë që i bënë thirrje Azerbajxhanit të ndalojë dhunën e të kthehet në tryezën e bisedimeve. Thirrje për dialog erdhën edhe nga BE, ku disa vende të saj ofruan të bëhen palë ndërmjetësuese për ta zgjidhur çështjen. Ndërkohë, Turqia kritikoi ashpër Armeninë, duke thënë se Jerevani ishte një pengesë për paqen, ndërsa u zotua se do të vazhdojë mbështetjen e saj për Azerbajxhanin.

Fillimisht, autoritetet armene njoftuan se ushtria e vendit fqinj të Azerbajxhani sulmoi disa vendbanime të civilëve në rajonin e Nagorno-Karabakh dhe për këtë arsye i bëri thirrje popullsisë së kësaj zonë të qëndrojë në vendstrehime. Ministria e Mbrojtjes në Armeni bëri me dije se u kundërpërgjigj dhe rrëzoi dy helikopterë dhe 3 dronë të Azerbajxhanit gjatë sulmit që përfshiu dhe kryeqendrën rajonale të Stepanakert. “Përgjigjja jonë do të jetë propocionale dhe përgjegjësia për situatën bie plotësisht mbi lidershipin azer”, shkruhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Nga ana tjetër, autoritetet azere bëjnë me dije se nisën një operacion ushtarak përgjatë “linjës së kontaktit”, një rrip toke të minuar, që ndan forcat e mbështetura nga Armenia nga trupa e Azerbajxhanit. Ministria e Mbrojtjes konfirmon rrëzimin e një helikopteri dhe shton se ekuipazhi arriti të mbijetonte.

Dy ish-vendet sovjetike prej kohësh janë në konflikt në lidhje me shkëputjen e rajonit me shumicë etnike të Nagorno-Karabakh nga Azerbajxhani. Muajt e fundit janë përshkallëzuar dhe përplasjet në kufi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos