
Rafael Nadal është tërhequr nga turneu i tenisit në Wimbledon, pasi kishte arritur deri në gjysmëfinale, duke bërë që rivali i tij, Nick Kyrgios të kalojë direkt në finalen e të dielës, ku do të luajë kundër Novak Djokovic ose Cameron Norrie.
Spanjolli tha se po braktiste turneun për shkak të një dëmtimi në muskujt e barkut. Edhe në ndeshjen çerekfinale kundër Taylor Fritz, 36-vjeçari shfaqi probleme dhe madje gjatë ndeshjes babai i tij u dëgjua disa herë t’i thërriste që të ndërpriste ndeshjen.
“Në shumë raste në karrierën time jam përpjekur që të vazhdoj përpos problemeve, por ishte e dukshme që dëmtimi do të përkeqësohej”, tha Nadal.
Fituesi i 22 turneve Grand Slam shtoi: “E kuptova që nuk mund të fitoja dy ndeshje rresht dhe për respekt ndaj vetes vendosa të largohesha. Gjëja më e rëndësishme në jetë është lumturia, më shumë se çdo titull. Nuk mund të rrezikoj karrierën time”. (A2 Televizion)