Macron vendos për izolimin, qytetarët: Duam të festojmë Krishtlindjet me familjet

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2020, 19:36 | Bota
Macron vendos për izolimin, qytetarët: Duam të festojmë

Francezët presin me padurim vendimin e presidentit Emmanuel Macron, për vazhdimin ose zbutjen e izolimit kombëtar.

Shpresa e qytetarëve në Paris dhe dhurata që i kërkojnë qeverisë është që t’i lejojë ata që Krishtlindjen ta festojnë me familjet e tyre.

“Shpresoj që të kaloj Krishtlindjet me të afërmit e mi, me prindërit që jetojnë në Lion edhe me gjyshërit që jetojnë po në Lion. Këto janë pritshmëritë e mia: të na mundësohet mbledhja në familje”, thotë Albane Voisin, banore në Paris.

“Para të gjithash, pres më shumë liri për ne, duke hequr këto lejet për të lëvizur pasi janë plotësisht qesharake. Duhet të lejohemi të shkojmë në dyqane duke respektuar masat mbrojtëse. Pra, duhet të kemi më shumë liri dhe vetëbesim”, shprehet Michel Picot, banor në Paris.

"Ajo që presim është një zbutje e lehtë e izolimit, duke e bërë atë më fleksibël. Por, nuk mund të jetë shumë i zbutur pasi do të na çonte sërish në izolim të plotë në janar dhe shkurt, pas festave të fundvitit”, theksoi Kathleen Grosset, një tjetër banore e Parisit.

Prej gati një muaji, restorantet, baret dhe dyqanet në të gjithë Francën kanë mbyllur qepenat dhe kanë operuar kryesisht me dërgesa, ndërsa qytetarët kanë lënë banesat duke kërkuar autorizim vetëm për arsye të domosdoshme.

Izolimi kombëtar ka funksionuar pasi niveli i rasteve ditore me koronavirus ka rënë në 4400, më i ulëti që prej shtatorit. Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar se piku i valës së dytë ka kaluar, megjithatë kanë paralajmëruar një dimër të vështirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos