Manastirliu: Do të sigurojmë edhe 1,3 milionë vaksina

Nga A2 CNN
16 Shtator 2021, 14:45 | Sociale
Manastirliu: Do të sigurojmë edhe 1,3 milionë vaksina

“Fokusi ynë është rritja e mbulesës vaksinale dhe jemi duke punuar për të siguruar akoma më shumë vaksina. Me kontratat e lidhura dhe me donacionet e vendeve të partnerëve ndërkombëtarë, presim edhe 1,3 milionë doza vaksine, përveç 2 milionë dozave të vaksinave që tashmë kanë ardhur”.

Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në Kuvend. Duke folur për përgjigjen ndaj variantit Delta dhe rëndësinë e vaksinimit në këtë periudhë, Manastirliu tha: “Sot jemi në ritme të mira të vaksinimit. Nuk janë ulur këto ritme sepse i gjithë sistemi shëndetësor është i dedikuar në funksion të rritjes së mbulesës vaksinale. Nëse do të ketë një fjalë kyçe ky sezon, fjala kyçe do të jetë: vaksinim, vaksinim, vaksinim. Kjo është një përpjekje jo vetëm e një qeverie. Kjo është përpjekje e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë. Sot, nëse do të bëjmë një bilanc përsa i përket vaksinimit të grupeve të riskuara, përsa i përket grupmoshës +60 vjeç, ne kemi një përqindje të mirë të mbulesës me vaksina, që është mbi 63%. A është e mjaftueshme? Sigurisht që jo. Ndaj fokusi ynë në këto muaj duhet të jetë vaksinimi i të gjithë popullatës së targetuar dhe rritja e mbulesës vaksinale, duke synuar pikërisht ato grupe të riskuara dhe duke synuar gjithashtu që ajo çfarë ne po garantojmë për fëmijët tanë, hapja e shkollave dhe hapja e universiteteve në muajin tetor, të bëhet si një proces sa më i lehtë, në raport me situatën shëndetësore”.

Duke folur për planin për përballimin e situatës së pandemisë në vijim, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh: “Qeveria shqiptare ka alokuar për vitin 2021, 100 milionë euro, duke përfshirë këtu edhe mbështetjen e donatorëve, të cilat do të jenë në dispozicion të të gjithë skenarëve që parashikojmë në planin tonë, i cili tashmë është një plan i miratuar për pandeminë dhe impaktin post-covid, si një plan përgjigje jo vetëm për periudhën e vjeshtë-dimrit, por në fakt si një plan përgjigje për dy vitet në vazhdim”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos