
Fakultetet në kryeqytet kanë nisur ngritjen e stendave të vaksinimit për stafet pedagogjike, por mbi të gjitha për studentët. Nisja e vitit të ri akademik kërkohet të jetë e sigurt dhe kthimi në auditorë, sipas autoriteteve shëndetësore, duhet të kalojë nga vaksinimi.
Rektori Artan Hoxha ka ndjekur të njëjtën linjë rekomandimi për t’u vaksinuar, pa folur për detyrime: “Ne i besojmë shkencës, ndaj pedagogët dhe studentët duhet të vaksinohen për të mirën e përbashkët”.
Ndonëse universitetet kanë autonomi në marrjen e vendimeve, Hoxha ia ka deleguar hyrjen në auditorë Komitetit Teknik të Ekspertëve: “Ne nuk privojmë studentët nga e drejta për arsim, por do të jetë Komiteti Teknik i Ekspertëve që do të vendosë”.
Në oborrin e Fakultetit të Ekonomisë është mbajtur edhe një përkujtimore për humbjen e jetës së dy pedagogëve dhe një studenteje, pas infektimit nga virusi. Në total, janë katër pedagogë, një studente dhe një punonjëse biblioteke që nuk e kanë fituar betejën me Covid-19. (A2 Televizion)