
Ministrja e Shëndetësisë, njëkohësisht dhe kandidatja për deputete e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu ishte e ftuar në “Absolut 4”, ku bëri një përmbledhje të situatës në vendin me pandeminë e koronavirusit.
Sipas Manastirliu, situata epidemiologjike në vendin tonë aktualisht është e qëndrueshme kjo falë masave të ndërmarra dhe nisjes së fushatës së vaksinimit masiv.
“Në javët e fundit situata epidemiologjike ka ardhur në rënie të qëndrueshme. Numrat e infeksioneve kanë pësuar një rënie. Situata në spitale është e qëndrueshme, aktualisht kemi më pak se 200 të shtruar. Ulje ka pësuar dhe numri i fataliteteve. Rritja e infeksioneve në javët e shkuara erdhi dhe si pasojë e futjes në vend të variantit britanik. Vaksinimi në Shqipëri nisi më 11 janar me mjekët e infermierët, më pas u vaksinuan mësuesit dhe më 25 mars nisi vaksinimi masiv. Kemi arritur mbi 300 mijë vaksinime të kryera që nga nisja e vaksinimit.
Çdo spital nëse nuk ka pacientë qëndron në gatishmëri në rast se mund të kemi një rritje të rasteve që kanë nevojë për trajtim. Komiteti i Ekspertëve është treguar i kujdesshëm dhe me lirimin e masave duke para dhe situatën epidemiologjike. Masat kanë dhënë rezultat dhe kjo tregon se edhe qytetarët i kanë zbatuar ato”, u shpreh ministrja. (A2 Televizion)