
Policia e Shtetit ka ndëshkuar 123 drejtues mjetesh të makinave luksoze për mangësi në dokumentacion, gara shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë. Gjatë kontrollit policor janë proceduar penalisht edhe disa drejtues për falsifikim të certifikatave të errësimit të xhamave.
“Në të gjithë vendin përgjatë kësaj jave janë ndëshkuar me masë administrative 123 drejtues mjetesh të kësaj kategorie, shumica e të cilave nga Policia Rrugore e Tiranës për mangësi në dokumentacion, për gara shpejtësie, për manovra të rrezikshme në rrugë, mos vendosje targash në vendin e caktuar, për errësim të xhamave jo në përputhje me udhëzimin e organeve përkatëse ku vlen të theksohet procedimi penal i disa drejtuesve për falsifikim të certifikatave të errësimit të xhamave”, thuhet në njoftimin e policisë .
Gjithashtu nga Policia Rrugore e Durrësit në bashkëpunim me Forcat Shqiponja është ndaluar mjeti tip "Benz" i blinduar në pronësi të shtetasit F. A., me drejtues shtetasin L. S, i cili qarkullonte i pa pajisur me autorizimin nga organet kompetente. Nga policia Rrugore është vendosur masa administrative 12.000 lekë të reja si dhe sekuestrimi i automjetit.
Sipas Policisë kontrollet kanë vijuar për të gjitha kategoritë e mjeteve, jo vetëm mjetet e shtrenjta ose të luksit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe disiplinimin e sjelljes në rrugë. (A2 Televizion)