
Fushata e ngadaltë e vaksinimit në Maqedoninë e Veriut, ka përshpejtuar ritmet pasi vendi siguroi 200 mijë doza të vaksinës kineze Sinopharm.
Aplikimi i vaksinës tek të moshuarit nisi më 4 maj me synimin për të imunizuar deri në 15 mijë persona në ditë. Maqedonia e Veriut është përballur me vështirësi të mëdha për të garantuar vijueshmërinë e fushatës pas nisjes në muajin shkurt, për shkak të mungesës së furnizimeve.
Deri në fund të prillit, shteti kishte siguruar vetëm 24 mijë doza të vaksinës së Astrazenecas përmes skemës së Covax. Sipas Reuters, në Maqedoninë e Veriut janë injektuar 74 mijë e 76 doza në popullsinë prej 2 milionë banorësh.
Maqedonia e Veriut pret gjithashtu 119 mijë vaksinat e Pfizer dhe Biontech të premtuara si donacion, nga Bashkimi Europian. Që nga nisja e pandemisë, Maqedonia e Veriut regjistron 152 mijë e 814 raste me Covid-19 dhe 4992 vdekje. (A2 Televizion)