Mariupoli i pasluftës, qytetarët në radhë për ushqime, në ekran televizionet ruse

Nga A2 CNN
31 Maj 2022, 16:04 | Bota
Mariupoli i pasluftës, qytetarët në radhë për ushqime,

Qytetarë që karikojnë pajisjet elektrike nga gjeneratorë, apo shkëmbejnë ushqime dhe veshje nëpër rrugë, teksa një ekran gjigant në një stacion të boshatisur autobusi transmeton kanalin shtetëror rus. Është ky normaliteti i ri në qytetin e dërrmuar nga lufta të Mariupolit, tashmë nën kontrollin e plotë të trupave pushtuese. Nikolai, i cili thotë se dikur kishte qenë gazetar i zhvillimeve ndërkombëtare dhe ekspert i të drejtave të njeriut, jeton tani në stacionin e trenit dhe duhet të vijë këtu çdo ditë për të karikuar telefonin.

“Vij këtu gjithë kohës, çdo ditë sepse kam telefonin për të karikuar, elektrikun e dorës dhe biçikletën elektrike. Jetoj në stacionin hekurudhor dhe nuk kam elektricitet atje”, thotë Nikolai.

Një tjetër qytetare, Ljuba , thotë se ka vendosur të mos e lerë qytetin edhe pse apartamenti ku jetonte është dëmtuar në betejën e ashpër për qytetin.

“Nuk do të shkoj askund. Jetoj në rrugën Italianskaja. Ndërtesa ku jetoj është shkatërruar keq, çatia rrjedh dhe xhamat janë thyer. Nuk kemi ujë e as elektricitet, është e vështirë”, shprehet ajo.

Disa banorë mund të shihen teksa sigurojnë produkte bazë përmes disa pakove me simbolin pro-luftës ruse, shkronjën Z, pranë godinave të dëmtuara. të tjerë kanë ngritur stendat e veta për të shitur ose shkëmbyer produkte, përfshirë perime dhe këpucë, edhe pse pak gjëra kanë mbetur pas plaçkitjeve që përfshinë qytetin.

Rusia pushtoi Mariupolin javën e kaluar, pas dorëzimit të më shumë se 2400 luftëtarëvë të rezistencës të rrethuar në zonën industrial të Azovstal. Kapja e qytetit strategjik e ndihmoi Moskën të sigurojë kontrollin e plotë të bregdetit në detin Azov dhe të krijojë një urë tokësore mes Rusisë dhe Krimesë, gadishullit të aneksuar në 2014-n. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos