
Markata e peshkut në Vlorë do të jetë qendra e re e tregtimit të produkteve peshkore në këtë zonë. Kjo godinë është një investim i mbështetur nga Ministria e Bujqësisë me një infrastrkturë të re dhe sistem të ri teknologjik me standardin e Bashkimit Europian.
Gjatë inspektimit, Ministrja Krifca tha se ndërtimi i markatave të tregtimit të peshkut me shumicë do të sjellë në radhë të parë një liberalizim të tregut dhe rritje te zënieve dhe të cilësisë së produktit. “Do të jenë vetë peshkatarët që do të shesin prodhimet e tyre, do të jene ata që do të diktojnë çmimet sipas konkurencës së drejtë në treg. Për më tepër këto markata të ndërtuara sipas standardeve të BE janë garanci si nga pikëpamja veterinare ashtu dhe në pikëpamja e kapaciteteve magazinuese”.
Ministrja Krifca tha se ndërtimi i markatave të peshkut është një nga prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Markata e Vlorës vjen pas përfundimit të markatës së Lezhës dhe do të ndiqet nga merkata e Sarandës dhe e Durrësit. Markata do te jete e pajisur me numër CEE, pra prodhimet e saj do te eksportohen direkt ne BE, duke i dhënë mundësinë e eksportit të gjitha anijeve të peshkimit dhe shtuar eksportet në këtë sektor i cili ka regjistruar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit.
Ministrja pa nga afër gjithashtu edhe ecurinë e punimeve në Inkubatorin e QTTB Vlorë për përpunimin e peshkut, të ngritur me fonde të buxhetit të shtetit, i cili do t’i shërbejë më së shumti peshkatarëve të vegjël. (A2 Televizion)