Marrëveshja elektorale, sistemi dhe qeveria tranzitore ndan aleatët e PD

Nga A2 CNN
11 Qershor 2020, 19:52 | Politikë
Marrëveshja elektorale, sistemi dhe qeveria tranzitore ndan aleatët e

Shpëtim Idrizi ishte i vetmi mes aleatëve të PD që u shfaq në rrethin e ngushtë të negociatorëve për reformën zgjedhore, shumë pranë njerëzve të afërt të Lulzim Bashës.

Çfarë e ndan nga aleatët, është edhe një formulë ndryshe që mendon se i duhet opozitës për të ardhur në pushtet, duke nisur nga zhvlerësimi i nevojës për një qeveri tranzitore.

“Personalisht mendoj se në këto zgjedhje ne duhet të hyjmë vetëm me Edi Ramën, sepse ai është jo vetëm personi që ka uzurpuar të gjitha pushtetet, por nuk ka çfarë prodhon më pas 21 vjetëve në pushtet dhe 7 vjetëve në qeveri. Druaj që një qeveri pa Edi Ramën do të ishte më problematike për frontin opozitar sepse do të na vejë ndonjë gomë shpëtimi dhe ne do ta kemi vështirë të targetojmë pastaj”, tha Shpëtim Idrizi.

Nard Ndoka që kryeson PDK-në ngul këmbë se opozita nuk ka hequr dorë nga kërkesa.

“Opozita nuk është tërhequr nga kjo kërkesë, ajo pret radhën për t’u diskutuar. Ka një përkushtim maksimal dhe të faktorit ndërkombëtar, pra modeli i Maqedonisë së Veriut të futet dhe në Shqipëri, po negociohet”, shtoi Nard Ndoka.

Edhe te sistemi zgjedhor, Idrizi nuk gjen pengesa për opozitën.  

“Ka nevojë për një diskutim dhe debat të madh publik dhe pastaj mbas kësaj dakordësie ne kemi thënë që në krye të herës që ka nevojë të kalojë në një referendum”, u shpreh kreu i PDIU.

Kush e shfaq hapur pakënaqësinë për mosndryshimin e sistemit, është Agron Duka.

“Natyrisht që nuk na ka kënaqur 100% sepse ne përveç atyre që janë firmosur nga marrëveshja kemi synuar që të kemi dhe një sistem të ri zgjedhor ku të ketë element në mazhoritar. Por diktati i më të madhit fatkeqësisht është edhe në politikë”, deklaroi Duka.

Çfarë i bën të tre bashkë është vendimi për të kryesuar listat e veta në garën për kuvendin, duke dalë nga ato të PD. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos