Atë që ndodhi me plehrat në Durrës, nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka, e konsideron një skenar të parapërgatitur nga mafia e plehrave.
Pjesë e këtij skenari, sipas PD, ishte krijimi i emergjencës me plehrat në rrugët e Durrësit, djegia e tyre në Manzë, duke tërhequr vëmendjen, për t'i dhënë më pas 100 milionë euro një kompanie fantazmë.
“Mbushja e Durrësit me plehra dhe djegia e tyre masive në Manzë ishte një shfaqje e inskenuar e mafias së plehrave. Ajo është një shfaqje kriminale e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt për të çuar 100 milionë euro në inceneratorin e tyre në Sharrë. Mafia e plehrave, me në krye Edi Ramën, kishte llogaritur me saktësi skenarin për të çuar 100 milionë euro para publike në xhepat e Edi Ramës, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt dhe Taulant Ballës. Në inceneratorin e Tiranës, mafia e plehrave është fshehur pas një kompanie fantazëm, e regjistruar në parajsë fiskale. Me këmbënguljen e Edi Ramës, shteti shqiptar do t’i kalojë 100 milionë euro për plehrat e Durrësit”, tha Paloka. (A2 Televizion)