Damian Gjiknuri ka kërkuar mbledhjen e grupit negociator, për të finalizuar të gjitha çështjet e mbetura pezull pas firmosjes së marrëveshjes zgjedhore në 5 qershor.
Ende për t’u përcaktuar janë edhe modalitetet e zgjedhjes së nënkomisionerit të KQZ, për të cilin nuk ka një parashikim as në amendamentet paraprake të hartuar nga ekspertët. Në intervistën për A2 Gjiknuri thotë se pret që të jetë opozita ajo që të propozojë formulën, pasi nënkomisioneri sipas marrëveshjes duhet të vijë si i zgjedhur i saj me detyrën e posaçme të aplikimit të identifikimit biometrik.
“Të vijnë me propozim që adreson këtë problem. Unë do bashkëpunoj, por një kërkesë që ke insistuar vetë, brenda kuadrit ligjor të miratuar si draft, ta zbatojmë”, thotë Gjiknuri.
Por teksa negociatorëve u kërkohet të punojnë me qëllim miratimin në kuvend të reformës brenda korrikut, mungojnë 84 votat.
Tre grupet e opozitës parlamentare kanë paralajmëruar se nuk e votojnë reformën pa sistemin zgjedhor. A është e gatshme mazhoranca të rishikojë marrëveshjen për të patur edhe votat e opozitës në Kuvend?
“Detyra ime dhe e Partisë Socialiste është t’ i qëndrojmë marrëveshjes, të çojmë amendimet në Kuvend, dhe aty të negociohet a bëhen apo jo votat. Pastaj se çfarë është opsion b ose c, është shpejt për t’ u folur”, vijon ai.
Kjo nuk ishte hera e parë që Damian Gjiknuri negocion një reformë zgjedhore me kundërshtarin politik, por këto bisedime thotë se ishin ndër më të vështirat. Ai zbulon formulën që u refuzua në tryezë, për depolitizimin e administratës.
Sipas tij, “formula ka qenë që tre komisionerë të zgjidheshin nga njerëz të trajnuar, ndërkohë që 2 vëzhgues politikë do të firmosnin çdo procesverbal”.
Komisioni i posaçëm i Kuvendit për reformën zgjedhore do te mblidhet pasditen e te premtes, për t’u njohur zyrtarisht me produktin e marrëveshjes politike te 5 qershorit. (A2 Televizion)