
Ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhacka ka reaguar menjëherë pas lajmit, disi të papritur, të marrëveshjes Prishtinë Beograd për njohjen e dokumenteve reciproke ne kufirin mes tyre.
"Një lajm shumë i mirë për rajonin. Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje nga e cila përfitojnë si shqiptarët ashtu edhe serbët. Dialogu është gjithmonë rruga. Urime të dy liderëve dhe mirënjohje BE për lehtësimin e dialogut", shkruan Ministrja në Twitter.
Më parë ishte vetë përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josip Borrell, që kishte njoftuar marrëveshjen. “Shtetasit kosovarë, si dhe të shteteve të tjera, do të mund të udhëtojnë lirisht midis Kosovës dhe Serbisë, vetëm me kartën e identitetit. Kemi marrë garanci nga kryeministri Kurti për këtë pjesë. Kjo është zgjidhje europiane, përgëzoj dy liderët për vendimin e tyre dhe lidershipin që treguan”, thuhej në postimin e tij, për një marrëveshje që shënon një zhvillim domethënës midis dy vendeve. (A2 Televizion)