Ngjarja e Gramshit, Rama: Nuk është cenuar siguria kombëtare

Nga A2 CNN
26 Gusht 2022, 12:12 | Politikë
Ngjarja e Gramshit, Rama: Nuk është cenuar siguria kombëtare

Ngjarja në fabrikën ushtarake të Gramshit, ku 3 turistë të dyshuar për spiunë u arrestuan pasi hynë duke sulmuar ushtarët që ruanin objektin, sipas kryeministrit Rama nuk ka cenuar sigurinë Kombëtare.

“Mjegulla e ngritur mbi të ashtuquajturat objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë së veçantë. Ato nuk janë as fabrika që prodhojnë armë. Ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte me rëndësi të veçantë në vitin 2012. Tani, të thuash që “po bëjnë spiunazh”, duke fotografuar ato mbetje arkeologjike të komunizmit është shumë qesharake, ndërkohë që ajo që duhet t’ju shqetësonte dhe që na shqetëson ne, është: këta persona, çfarë qëllimesh të vërteta kanë në vendin tonë?”, tha Rama.

Deklaratën kreu i qeverisë e dha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, i cili duke kujtuar të shkuarën e Ballkanit, që konsiderohej si fuçi baruti, theksoi rëndësinë e nismave të reja që afrojnë vendet me njëra-tjetrën.

“Zona e Ballkanit ka qenë një fuçi baruti për kontinentin tonë dhe duhet ta shmangim dhe duhet të bëjmë gjithçka që ta shmangim. Qoftë “Open Balkan”, kur ne flasim me njëri-tjetrin, e di që Kosova dhe Serbia po diskutojnë sot. Është e rëndësishme të bëjmë përpara. Nuk mund t’ia lejojmë vetes konflikte shtesë, nuk mund t’ia lejojmë vetes presione shtesë”, tha Bettel.

Ai hodhi poshtë mundësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit për Shqipërinë në BE për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por solli në vëmendje planin Macron, që sipas tij do t’i afrojë vendet pretendente me unionin. “Kemi rregulla, kemi kriteret e Kopenhagenit, kritere që janë vendosur dhe kriteret do të qëndrojnë, nuk mund t’i lëmë pezull këto kritere. Pra ajo që mund të bëjmë është të shikojmë sesi mund të punojmë më ngushtësisht, si mund të mbështesim, si mund të ndihmojmë, por nuk mund të themi që për shkak të situatës gjeopolitike të kapërcejmë kriteret që ekzistojnë”, tha ai.

Qëndrimi i Bettel u mirëkuptua nga kryeministri Rama, i cili shtoi se për këtë aktualizimin e planit të Macron po punohet në bashkëpunim me kryeministrin e Holandës. “Ne bashkërisht duhet të përshpejtojmë procesin e përafrimit politik mes vendeve që negociojnë ose jo anëtare dhe vendeve anëtare në aspektin e asaj që Presidenti Macron e quan një komunitet i ri politik apo asaj që presidenti i KE-së Charles Michel, e quan thellim të procesit të europianizimit të të gjithëve së bashku. Kështu që në këtë aspekt ne kemi idetë tona, të gjithë kanë idetë e tyre, ne po punojmë edhe me qeverinë holandeze për të pasur një propozim të përbashkët sesi mund të bëhet ky thellim dhe ky është një proces që mund ta përshpejtojmë, por procesi i anëtarësimit nuk ka si përshpejtohet përveçse duke përmbushur detyrat”.

Plani i Macron synon t’i konsiderojë vendet aspirante të BE-së si të asociuara me unionin, të cilat do të marrin pjesë në mbledhjet e organizuara nga Bashkimi Europian, por nuk do të kenë të drejta të njëjta si vendet anëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos