Marrëveshja për detin, Begaj: Plotfuqishmëria vetëm në respektim të Kushtetutës

Nga A2 CNN
20 Janar 2023, 19:21 | Politikë
Marrëveshja për detin, Begaj: Plotfuqishmëria vetëm në

Presidenti i Republikës Barjam Begaj thotë se do të respektojë Kushtetutën e vendit dhe të drejtën ndërkombëtare sa i përket autorizimit që i kërkohet nga Ministria e Jashtme në lidhje me çështjen e marrëveshjes së detit me Greqinë.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Begaj tha se ka informacion se Ministria e Jashtme ka zhvilluar konsultime diplomatike në lidhje me detajet dhe procedurat në vijim, se si do të zgjidhet kjo çështje. “Autorizimi që ju përmendët do të lëshohet konform kërkesës nga ana e Ministrisë për Europën dhe Punë të Jashmte dhe do të lëshohet në respekt të plotë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të marrëveshjeve e të drejtës ndërkombëtare”, tha Presidenti.

Begaj vlerësoi edhe marrëdhëniet e mira me Greqinë, sikurse me të gjithë shtetet fqinje. “Greqia fqinje është një partner i rëndësishëm strategjik për vendin tonë, një partner shumë i rëndësishëm ekonomik. Jemi vende aleate në NATO dhe e ndërtojmë marrëdhënien bazuar në reciprocitet dhe respekt të njëri-tjetrit. Historia dhe kultura e lashtë e të dy vendeve si dhe komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri, janë ura të forta lidhëse të këtij bashkëpunimi”, shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos