
Qeveria shqiptare arkëtoi 550 milionë euro në vitin 2022 nga rritja e çmimeve, por sipas Partisë Demokratike nuk u ktheu asgjë qytetarëve.
Ish/zv.ministri i ekonomisë Eno Bozdo e cilësoi pakon e madhe një “karamele elektorale” që nuk i ndihmon realisht familjet në nevojë.
“Si pasojë e inflacionit të lartë dhe rritjes së çmimeve të të gjitha produkteve, qeveria shqiptare arkëtoi ne total rreth 550 milionë euro më shumë gjatë vitit 2022. Një shumë e konsiderueshme, e cila në një vend normal do të duhej t’i kthehej e plotë qytetarëve. Në fakt, çfarë u kthehet atyre janë vetëm karamele elektorale, sepse zgjedhjet vendore po afrojnë. Rritja e çmimeve ka varfëruar edhe më tej të varfërit dhe po e çon shtresën e mesme me shpejtësi drejt varfërimit të plotë. Shqiptarët deklarojnë se 42% e buxhetit të tyre shkon vetëm për ushqime. Ndërkaq, ushqimet e shportës jane shtrenjtuar mesatarisht me 12%.
Edi Rama e di dhe e njeh mirë këtë situatë. Por aq i bën. Për sa kohë ka zgjedhur strategjinë e varfërimit të mëtejshëm dhe të përzënies të atyre që nuk e duan qeverinë e tij. Dhe, për sa kohë mban rreth vetes ata ministra që një pjesë e vjedhin për xhepat e tyre dhe të shefit dhe pjesën tjetër e bëjnë termet duke vjedhur votat e shqiptarëve me paratë e shqiptarëve. Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë në duar më të pasigurta të cilat të japin siguri vetëm për një gjë: do të të vjedhin”, tha mes të tjerash Bozdo. (A2 Televizion)