Monika Kryemadhi ka përshëndetur në emër të LSI arritjen e marrëveshjes për reformën zgjedhore në Këshillin Politik.
Kryetarja e LSI u shpreh përmes një postimi në rrjetet sociale se pa zgjedhje të lira nuk ka demokraci dhe për këtë arsye falënderoi kontributin e partnerëve ndërkombëtarë për ndërmjetësimin e akordit.
“Rezultati i sotëm në Këshillin Politik, i arritur dhe me kontributin e partnerëve ndërkombëtarë është pozitiv dhe duhet implementuar pa humbur kohë, me integritet, ashtu siç e kërkon dhe kushti i radhës i BE, ashtu siç e meritojnë qytetarët shqiptarë. Reformat bëhen pikësëpari për njerëzit, të cilët presin ndryshimin dhe mundësinë e shprehjes së vullnetit të tyre lirisht në zgjedhje. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme s'ka demokraci dhe pa demokraci s'ka ekonomi e mirëqenie për shqiptarët.
LSI dhe Opozita e Bashkuar është e vendosur për realizimin me sukses të angazhimeve të marra para popullit shqiptar për sa i përket forcimit e përmirësimit të themeleve të demokracisë në vendin tonë, si dhe përshpejtimit të rrugës së integrimit europian të Shqipërisë”, thuhet në postimin e Kryemadhit. (A2 Televizion)