
Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel u përmbyll me dy zhvillime pozitive dhe një negativ.
Ishte ky bilanci që bëri përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politike të Jashtme, Josep Borrell, në përfundim të bisedimeve në kuadër të dialogut.
Si një arritje të madhe përmendi marrëveshjen për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë të luftës së fundit.
Në bazë të dokumentit, Serbia ka pranuar që të hapë arkivat e saj dhe të mundësojë qasjen edhe dokumentet sekrete lidhur me luftën e zhvilluar në Kosovë për periudhën nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Draft-statuti i parë për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ishte një tjetër zhvillim që u konsiderua pozitiv nga Borrell duke e konsideruar një hap të mirë drejt përmbylljes së kësaj çështje 10-vjeçare, por jo version përfundimtar.
Zyrtari i BE-së konfirmoi pakënaqësitë e mëdha të Kurtit për draft-statutin e paraqitur nga ekipi menaxhues, në të cilin Kosova nuk ka asnjë anëtar dhe Serbia ka një deputete në të.
Pikërisht kjo e fundit bëri të ditur se draft-statuti për Asociacionin është përpiluar për katër muaj që në vitin 2018-të. Si zhvillim negative, Borrell konsideroi zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet lokale të pjesshme.
Kryediplomati i BE-së kërkoi që të bëhen më shumë përpjekje që serbët e Kosovës të rikthehen në institucione.
Nga ana tjetër, presidenti serb ishte më i zëshëm në drejtimin e akuzave ndaj kryeministrit të Kosovës duke pretenduar se nuk dëshiron që të formojë asociacionin. Por Albin Kurti në përfundim të takimit njoftoi opinionin publik se draft-statuti me mbi 60 nene nuk ishte i pranueshëm pasi binte ndesh me kushtetutën e Kosovës. (A2 Televizion)