Masat për koronavirusin, Manastirliu: Nuk do të mbyllim kufijtë me Italinë

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2020, 10:50 | Aktualitet
Masat për koronavirusin, Manastirliu: Nuk do të mbyllim kufijtë

Gjatë mbledhjes së Task Forcës për koronavirusin, ministrja Manastirliu u pyet nga gazetarja e A2 dhe nëse do të ketë një mbyllje të kufijve me Italinë, për shkak të situatës së krijuar me të prekurit nga kjo epidemi në vendin fqinj.

Ministrja e Shëndetësisë u përgjigj se të gjitha masat që do të merren në vazhdim do të bazohen në shkallën e rrezikshmërisë. Sipas saj është e caktuar qartë në protokollet e OBSH se mbyllja e kufijve bëhet në një moment kur ka përhapje të gjerë të epidemisë.

“Në varësi dhe sipas shkallës së rrezikshmërisë do të marrim edhe masat përkatëse. Aktualisht, unë e thashë dhe më parë, se Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi.  Sipas shkallës së rrezikshmërisë do të ketë dhe masa me qëllimin për mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Për momentin kemi dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitare. Vendimet do të bazohen në evidenca.  OBSH rekomandon që të shihet dhe vlerësohet mundësia bazuar në shkallën e riskut, mbyllja e kufijve realizohet në një moment të caktuar kur kemi një përhapje të gjerë të epidemisë. Nuk vendosen masa agresive, por izolohet lokalisht rasti”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos