Masat për pandeminë, Soreca: Koha të mendojmë për fundin e gjendjes së jashtëzakonshme

Nga A2 CNN
4 Maj 2020, 09:58 | Aktualitet
Masat për pandeminë, Soreca: Koha të mendojmë për

Nis sot java e Evropës, ku delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka përgatitur një program për qytetarët shqiptarë, për të festuar faktin që të gjithë u bënë bashkë gjatë periudhës së pandemisë.

Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, ishte i ftuar këtë të hënë në Dita Jonë, ku foli për agjendën e aktiviteteve që do të mbahen nga sot, deri më 10 maj e ku do të interpretojnë 14 artistë nga 14 vende anëtarë të BE-së.

“Kjo javë do të jetë disi ndryshe, pasi këtë vit, me anën e rrjeteve sociale, ne dëshirojmë të arrijmë tek të gjithë, ashtu siç kemi parë kohët e fundit në ato momente solidariteti. Motoja që ne kemi zgjedhur këtë vit është: “Më të fortë së bashku”. Ne dëshirojmë të festojmë atë solidaritet, jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe ndihma që Shqipëria i dha Evropës dhe anasjelltas. Ne do të kemi artistë nga 14 vende gjithsej”.

Integrimi i Shqipërisë dhe pandemia

“Pandemia e ngadalësoi ritmin e të gjitha punëve që po bëhen për anëtarësim. Ne dimë se puna po fillon sërish. Pas dy ditësh, do të takohet komisioni i reformës zgjedhore, ndërsa takimet do të vijojnë tashmë. Ne inkurajojmë qeverinë që të hartojë atë plan veprimi, në mënyrë që të përmbushen të gjitha kushtet që ka vendosur Këshilli. Pas një muaji, Komisioni do të nxjerrë edhe raportin vjetor për Shqipërinë. Objektivi është se ne të mos humbasin kohë, të arrijmë te konferenca e parë ndërqeveritare”.

Masat e qeverisë shqiptare për pandeminë dhe ndryshimet në Kodin Penal

“E kam ndjekur nga afër këtë çështje. Jo vetëm në cilësinë time si qytetar që jetoj këtu, por edhe si ambasador, kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet. Masat e ndërmarra janë në përputhje dhe në të njëjtën linjë me shtete të BE-së, nga izolimi te nevoja që u pa për të mbushur një boshllëk në Kodin Penal. Unë mendoj se është koha që të mendojmë se kur do t’i jepet fund gjendjes së emergjencës. Qeveria e ka të gjithë informacionin për situatën. Cdo masë duhet të jetë për një kohë të caktuar dhe të mos zgjasë për një kohë të gjatë”.

Kriza dhe BE

“Ka qenë e qartë se Komisioni ka reaguar menjëherë si institucion, që në muajin e parë. U shpalos një plan shumë i rëndësishëm ekonomik. Italia ka hyrë tashmë në fazën e dytë. Objektivi i BE-së është të ndihmojë shtetet të dalin nga kriza ekonomike. Po ashtu, BE-ja ka dhënë asistencë ekonomike edhe për vendet e BE-së. Komisioni Evropian do të shpalosë një plan investimesh, një plan ekonomik, për Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipëri”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos