
Qeveria shqiptare ka vendosur që të ndryshojë nga nesër rregullat për shtetasit shqiptarë që duan të riatdhesohen.
Ministrja e Transportit, Belinda Balluku, deklaroi: “Të gjithë shqiptarët që do të riatdhesohen duke filluar nga data 4 maj duhet të aksesojnë direkt faqen "Air Albania" për të kryer rezervimin e biletës dhe për t’u rikthyer në atdhe. Gjatë këtij procesi, ju duhet të deklaroni adresën tuaj të banimit, pasi të gjithë ata qytetarë që banojnë në zonat e deklaruara të gjelbra do të duhet të karantinohen 14 ditë në hotelet e përshtatura si struktura karantinuese COVID-19. Ndërkohë të gjithë qytetarët që banojnë në zonat e shpallura si zona të kuqe do të vetëkarantinohen në banesat e tyre me përgjegjësi të plotë dhe të monitoruar nga policia e shtetit. Nuk është më i nevojshëm prenotimi i hotelit në fillim, pasi banorët e zonave të gjelbra do të klasifikohen për karantinim menjëherë pas rezervimit të biletës. Gjatë udhëtimit tuaj në bordin e Air Albania, ju do të keni një formular. Ky quhet formular i deklarimit ku do shkruani edhe një herë adresën tuaj të banimit dhe më pas do ta firmosni. Ky formular ju ngarkon me përgjegjësi ligjore dhe në rast të deklarimit të rremë do të aplikohen penalizime”.
Ministrja shtoi se “udhëtarët e riatdhesuar do të ndahen në dy grupe në aeroport”.
“Banorët e zonave të gjelbra do të dërgohen me autobus në strukturat karantinuese. Ata do të duhet të mbulojnë vetëm shpenzimet ushqimore, 7 euro në ditë, ndërsa 14 euro nga shteti. Banorët e zonave të kuqe do vetëkarantinohen në shtëpi, së bashku me familjen për 14 ditë. Në rast se dikush nga banorët e zonave të kuqe dëshiron të karantinohet në hotel, mjafton ta deklarojnë në avion", theksoi Balluku. (A2 Televizion)