
Vendimi për mbajtjen e maskave me detyrim dhe në ambiente të hapura nuk është respektuar nga të gjithë. Gjatë një vëzhgimi të bërë në rrugët e Tiranës vihet re se të rinjtë janë më neglizhentët ndaj masave, madje mes tyre ka edhe raste që nuk besojnë praninë e virusit.
Krejt ndryshe ka qenë sjellja e personave mbi 50-60 vjeç, të cilët nuk i tremben gjobës, por pasojave të koronavirusit.
Qytetarët që kanë zbatuar sjelljen e re në vende të hapura thonë se është e vështirë mbajtja e maskës gjatë gjithë kohës, por u duhet të përshtaten. Më të përgjegjshmit për veten dhe prindërit janë të vegjlit edhe pse bëjnë përjashtim nga vendimi për mbajtjen e maskës me detyrim në rrugë.
Në ditën e parë të zbatimit të vendimit, policia më shumë se gjoba ka dhënë rekomandime për vendosjen e maskës. Mesazhet ndërgjegjësuese për qytetarët kanë vijuar edhe nga mjekët.
3 mijë lekë është gjoba për çdo person që kapet pa maskë në rrugë dhe 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë po specifikon kategoritë e personave që nuk munden ta mbajnë maskën për shkak të gjendjes shëndetësore. (A2 Televizion)