May e Corbyn përplasen para takimit për Brexit

Nga A2 CNN
30 Janar 2019, 21:38 | Bota
May e Corbyn përplasen para takimit për Brexit

Në prag të takimit të shumëpritur për të diskutuar mënyrën e shkëputjes nga Bashkimi Europian, kryeministrja Theresa May dhe lideri i opozitës, Jeremy Corbyn e bënë nxehjen në Dhomën e Komunëve.

Laburisi i kërkoi në mënyrë të vazhdueshme shefes së Ekzekutivit të përjashtoi mundësinë e një brexiti pa marrëveshje dhe të heqë dorë nga linjat e saj të kuqe në bisedimet e ardhshme me Brukselin. May u kundërpërgjigj duke thënë se Corbyn nuk ka asnjë plan për brexit.

“Plani i tij për brexit u rrëzua, ai kundërshtoi t’i jepte fund lëvizjes së lirë dhe nuk do të përjashtojë një referendum të dytë. Nuk ka asnjë plan për brexit, apo ekonominë e vendit tonë”, tha May.

“Po pres me padurim të takoj kryeministren më vonë gjatë ditës pasi dua t’i tregoj alternativat laburiste, të cilat mund të sigurojnë shumicën në këtë dhomë. Ato mbrojnë vendet e punës dhe standardet e jetesës së qytetarëve rreth vendit”, tha Corbyn.

Ligjvënësit britanike votuan në favor të kërkesës së kryeministres për rinegociimin e marrëveshjen e brexit për ta pastruar atë nga i ashtuquajturi mekanizmi frenues për Iralndën e Veriut. Por Brukseli ju përgjigj me jo të prerë negociatave të reja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos