
Mbarëvajtja e protestës së opozitës do të varet në mënyrë absolute nga vendimi i gjykatës së Apelit për vulën e PD-së. Kështu u shpreh në një lidhje me A2 CNN deputetja demokrate, Sorina Koti. Sipas saj, gjendja emocionale e demokratëve është e fortë se nuk dihet ç’po ndodh brenda dyerve të gjykatës.
“Protesta, orientimet janë që të jemi para kryeministrisë se betejën e kemi me Ramën për situatën e vështirë të krijuar muajt e fundit. Me daljen e vendimit të gjykatës do të shohim mundësinë e marshimit apo ndonjë skenar tjetër. Mbarëvajtja e protestës varet në mënyrë absolute nga vendimi i gjykatës, se demokratët e anëtarësinë nuk i kontrollon dot se është një gjendje emocionale e fortë. Po presim një vendim dhe jemi të paqartë se ç’po ndodh në gjykatë. Nuk kemi informacion se ç’po ndodh atje brenda. Nuk besoj që gjykata e ka të vështirë të shprehet kur provat e faktet janë publike prej një viti. PD-ja e Rithemelimit e ka marrë të drejtën për të drejtuar partinë dhe vulën dhe zvarritja e procesit mban peng gjithë politikën jemi në prag zgjedhjesh dhe duhet të kemi stabilitet”.
E pyetur se çfarë hapash do të ndërmarrë Rithemelimi nëse vula i kalon Bashës, Koti shprehet se PD-ja do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit në koalicion, sikurse në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
“Sistemi gjyqësor ka rënë që në momentin ku nuk ka regjistruar të drejtën për të qeverisur rithemelimin se kancelari nuk pranoi të regjistronte një vendim gjykate. Është një vendim i imponuar nga qeveria dhe Rama, po asgjë nuk do të na pengojë të regjistrohemi në zgjedhjet e 14 majit se do të regjistrohemi në koalicion si në zgjedhjet e kaluara”. (A2 Televizion)