
Pak minuta nga protesta e paralajmëruar e opozitës përballë kryeministrisë, Edi Rama poston reflektimet e tij ndaj asaj që ai cilëson si një dështim të drejtësisë shqiptare “të resë dhe të vjetrës”, zgjatja e hetimeve mbi çështjen e 21 janarit 2011. Por kryeministri shprehet edhe se provat e reja si videopërgjimet e gardës në ato momente tragjike mund të ndryshojnë rrjedhën, dhe janë një test për Reformën në Drejtësi.
Rama sulmon pikërisht opozitën që sot del në bulevard. “A ka më ku të rrijë që teksa së fundmi, doli edhe një tjetër material, autentik, brutalisht rrëqethës, për vrasjen me paramendim dhe gjakakullsi kriminale, me pushkët e shtetit, të katër qytetarëve të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm për askënd, vrasësit e tyre vazhdojnë jo vetëm të enden të lirë, po luajnë edhe role nga më të rëndësishmet në jetën e vendit?!”, janë fjalët e tij në një postim në Facebook.
Sipas tij, “Shqipëria demokratike është i vetmi vend ku është hapur zjarr luftarak mbi turmë. Zjarr luftarak vdekjeprurës i pahetuar, i pagjykuar dhe sigurisht i pandëshkuar prej 12 vjetësh! Një proces farsë mbi këtë krim shtetëror të paparë e të padëgjuar në historinë e Europës, anashkaloi totalisht të vërtetën ulëritëse të një vrasjeje me paramendim, madje të paralajmëruar e të paspranuar me arrogancën më poshtëruese nga urdhëruesit”.
Rama sulmon drejtësinë “e vjetër, e kalbur dhe e nënshtruar, që rivrau katër të vrarët, shkeli egërsisht mbi plagët e familjeve të tyre, përdhunoi pashpirtësisht jetimët e katër baballarëve, duke u mohuar barazinë para ligjit dhe duke u dhënë shqiptarëve mesazhin më të hidhur, e më dekurajues të mundshëm për drejtësinë e pabarabartë në atdheun e tyre”.
Sipas tij, edhe Reforma në Drejtësi ka dështuar deri më tani në misionin e saj. “Drejtësia e re, me institucionin e saj kyç, të krijuar enkas nga një vullnet i fortë popullor e politik, kombëtar e ndërkombëtar, për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë, e cila duhet ta kishte nisur jetën e vet bash tek ky gur i përgjakur i themeleve të shembura të barazisë para ligjit të këtij vendi, jo vetëm nuk u kthye tek vendi i këtij krimi me pasoja tmerrësisht deformuese, të thella e afatgjata, për kulturën politike e demokratike të Shqipërisë, po bëri sikur s’kishte asnjë lidhje me të, pavarësisht se një prej motiveve më të forta të mbështetjes masive popullore të reformës në drejtësi (prej ku lindi edhe vetë SPAK-u si mishërim i një shprese të madhe) ishte pikërisht nevoja kombëtare për drejtësi për 21 janarin.
Sipas tij, kjo është “një nga motivet kryesore të zhgënjimit popullor nga reforma në drejtësi - kush i mohon apo i vë në diskutim si të parën edhe të dytën, nuk e kupton ose nuk do që ta kuptojë thelbin dhe konsekuencat historike mbi shtetin e së drejtës, të veprimit apo mosveprimit të ilaçit të drejtësisë për plagën tragjike të 21 janarit”.
Kryeministri është gjithsesi i bindur se “me provat e reja të javëve të fundit, e sidomos me audioregjistrimin tronditës të publikuar ditët e fundit, moskthimi pa humbur më kohë i drejtësisë së re në vendin e krimit të 12 vjetëve më parë, do të ishte konfirmimi dramatik i nënshtrimit të saj ndaj inercisë së neveritshme të drejtësisë së vjetër. Dhëntë Zoti jo!”. (A2 Televizion)