
Gjykata e Apelit do të vendosë sot për vulën e Partisë Demokratike, nëse do të jetë në duart e Enkelejd Alibeajt apo Sali Berishës. Vendimi i sotëm është mbi ankimimin e Alibeajt, ku kërkohet rrëzimi i vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen si legjitim të kuvendit të 18 dhjetorit.
Po në këtë ditë, kreu demokrat, Sali Berisha, ka thirrur protestë kombëtare, që sipas tij nuk ka të bëjë me vendimin e gjykatës, por me rrëzimin e qeverisë Rama. Protesta kombëtare e thirrur para kryeministrisë do të nisë në orën 12:00 dhe një ditë më parë policia njoftoi planin e masave dhe rrugët që do të bllokohen nga ora 10:00, deri në fund të protestës.
Demokratët kanë paralajmëruar pjesëmarrje të lartë në protestë. Simpatizantë të shumtë edhe nga degët e PD-së të qarkut juglindor do t’i bashkohen kësaj proteste. Pjesa më e madhe e tyre do të nisen me automjete private në orare të ndryshme, për t'iu shmangur edhe kontrolleve të policisë. Autobusët dhe fugonët kanë qenë diskretë për vendin e përcaktuar apo edhe për orarin e nisjeve drejt Tiranës. Mbi 1250 pjesëmarrës do t’i bashkohen sot protestës nga Dega e Partisë Demokratike Korçë, si dhe janë mbi 300 simpatizantë të cilët do udhëtojnë me 50 mjete private dhe 2 autobusë. Po e njëjta shifër me mbi 300 simpatizantë nisen edhe nga Devolli dhe Pogradeci. Dega e Partisë Demokratike Maliq do të ketë rreth 400 pjesëmarrës dhe mbi 50 simpatizantë nga Erseka.
Rreth 1000 persona janë nisur nga rrethi i Vlorës, 3 bashkitë që përfshihen në të Vlorë, Himarë, Selenicë, në drejtim të protestës në kryeqytet. Nga të dhënat zyrtare të Partisë Demokratike, dega Vlorë nga ky qytet janë nisur rreth 800 persona, teksa në degën e Partisë Demokratike janë regjistruar më herët mbi 200 automjete. Nga dega e Selenicës, do të nisen gjithsej rreth 130 simpatizantë dhe mbështetës të Partisë Demokratike. Më herët, në bazë janë regjistruar rreth 30 automjete. Gjithashtu, në degën e Himarës janë nisur rreth 70 simpatizantë ku më herët në degë janë regjistruar rreth 15-20 automjete. Organizim me autobusë, ashtu si edhe më parë, për këtë protestë nuk ka. Gjithsecili prej simpatizantëve është nisur në mënyrë personale, me makinat vetjake, të cilat më parë janë regjistruar në degët përkatëse. Krahas personave të cilët shkojnë sot në protestë, ashtu si çdo herë tjetër, sa herë ka protestë, edhe policia e shtetit del në gatishmëri. Kontrolle në hyrje të autostradës Levan-Vlorë për automjetet që largohen drejt Tiranës. Kontrollet për sende të forta, mjetet prerëse apo armë. Gjithashtu, kontrolle edhe për personat në kërkim.
Protestues të cilët do t'i bashkohen tubimit të opozitës në kryeqytet, janë nisur edhe nga qyteti i Kukësit. Grupet e protestuesve janë organizuar nga dega e PD dhe FRPD Kukës, duke vënë në dispozicion autobusë e furgona për transportin e tyre drejt kryeqytetit në protestën kombëtare të opozitës që mbahet në orën 12:00. Shumë qytetarë të tjerë janë organizuar edhe me nisma private, duke marrë automjetet e tyre për të udhëtuar drejt Tiranës. (A2 Televizion)