Padia e nënshkruan një ditë më parë nga Presidenti Meta për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka mbërritur me postë në Prokurori.
Sot do të bëhet regjistrimi në sekretari i kallëzimit penal, i cili i është adresuar Prokurorisë së Përgjithshme, asaj të Tiranës dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda.
“Si President i Republikës, po i jap një mundësi historike Reformës në Drejtësi, për të treguar integritetin dhe vërtetësinë e saj”, shkroi Meta një ditë më parë në “Facebook”, duke postuar fotot e nënshkrimit të dokumentit.
Presidenti konsideron si kriminale dhe të rrezikshme për rendin kushtetues dërgimin e vendimeve për botim në Fletoren Zyrtare nga ana e Dvoranit, “me qëllim krijimin e idesë së rreme në publik se znj. Arta Vorpsi ishte emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mekanizimit zhbllokues, në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 226 e vijues te ligjit 115/2016”.
Presidenti gjithashtu i rekomandon Prokurorisë, “të sekuestrojë menjëherë kopje të regjistrimeve nga sistemi i regjistrimit audio për të gjitha mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, prej të cilave do të zbulohen edhe fakte e të dhëna shtesë përtej atyre të parashtruara në këtë kallëzim. Me prioritet në punën tuaj është sekuestrimi i procesverbaleve audio të datave 21 shtator 2019 dhe 9 nëntor 2018 për evituar dëmtimin apo manipulimin e tyre të qëllimshëm”. (A2 Televizion)