Mbërrin sot në Tiranë Gabriel Escobar, takimi i parë me Bashën

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2021, 07:17 | Politikë
Mbërrin sot në Tiranë Gabriel Escobar, takimi i parë me

Mbërrin sot në vendin tonë zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Takimin e parë ai do ta zhvillojë me kryetarin demokrat, Lulzim Basha, rreth orës 11:00, për të vijuar më pas rreth orës 15:00, do të ketë një takim me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka. Në orën 17:00, zyrtari amerikan do të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin Edi Rama, pa praninë e mediave.

Që prej marrjes së këtij posti, Escobar si një njohës i mirë i realitetit në Ballkan, zhvilloi vizitat e tij të para në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Mal të Zi. Ndërsa, ardhja e diplomatit amerikan e gjen politikën e Tiranës të trazuar, e më konkretisht kampin blu, ku që pas shpalljes “non grata” nga SHBA-ja të ish-kryetarit demokrat Berisha, demokratët u përfshinë në një debat të brendshëm.

Vizita e Escobar zhvillohet vetëm dy ditë para Kuvendit Kombëtar të thirrur fillimisht nga Berisha, i cili nuk njihet nga kryesia e PD-së. Nga ana e tij, Basha ka thërritur një tjetër Kuvend Kombëtar, të cilin e konsideron të ligjshëm, më 18 dhjetor.

Më herët, ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se vizita e Escobar në Shqipëri do të rikonfirmojë mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

Në njoftimin e Ambasadës Amerikane thuhej gjithashtu se Escobar do të diskutojë mbi “vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos