
Në 31-vjetorin e Ditës së Rinisë, ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar homazhe në bustin e Azem Hajdarit. Ndërsa bëri një historik të ngjarjeve që pasuan lëvizjen e dhjetorit, Berisha sulmoi kreun aktual të Partisë Demokratike, duke e quajtur atë tradhtar të demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri.
“Në pushtet, erdhën ata që u përmbysën me votën e lirë më 22 mars ‘92. Erdhi Edi Rama, i cili në dhjetor të ‘90 sapo filloi lëvizja studentore, ia mbathi në Korfuz dhe u kthye pasi përfundoi çdo gjë. Në këto 8 vite, ai me lidhjet me krimin, me nostalgjinë e modelit të etërve të tij, zhbëri në mënyrë kriminale arritjet e mëdha të njëpasnjëshme, jetësore të shqiptarëve. Në këto 8 vite, koha jo vetëm që ndaloi, por bëri dhe prapakthehu. Në këto 8 vite, PD-ja, demokratët në mbarë Shqipërinë, derdhën lumenj djerse, sakrificash të jashtëzakonshme, por mjerisht ata kaluan nga një humbje në tjetrën, jo për shkak të tyre, por krejtësisht për shkak të njeriut, i cili pas 8 vitesh, meriton të quhet “Lulzim Boshi” ose peng kryetari. Në këto vite, shqiptarët u larguan nga Shqipëria njëlloj si në vitin ‘91. Regjimi në pushtet, vriste shpresën. Shqipëria, një vend i bekuar në pasuritë e saj përrallore, në potencialet e saj në inteligjencën e njerëzve të saj u bë vendi i shpresës së munguar, dëshpërimit e pesimizmit të qytetarëve të saj, vendi ku për pjesën e tyre të madhe alternativë e vetme, mbeti largimi nga Shqipëria. Por të gjitha këto, erdhën se në 8 vite PD-ja, pushoi së qenuri ajo që ishte. Drejtuesi i saj preu një nga një kolonat mbi të cilat ishte ngritur, parimet e idealet mbi të cilat qëndronte. Nëse sot themi se Rama është armiku më i egër i pluralizmit e demokracisë në Shqipëri, Lulzim Basha është tradhtari më i madh i tyre".
Sipas Berishës, përpjekjet e Ramës përmes Bashës për të marrë peng idealet e dhjetorit kanë marrë fund. Ai theksoi se ky është një dhjetor i ri i rithemelimit të PD-së dhe përmbysjes së regjimit të Ramës dhe Bashës.
“Llogaritë e Ramës se duke marrë peng Bashën, do të mund të marrë peng idealet e dhjetorit të studentëve, prijësit të tyre legjendar, Azem Hajdari dhe PD-së e anëtarëve të saj që shkrinë forcat e energjitë e tyre për një Shqipëri tjetër, kanë marrë fund. Sot, vijmë në këtë dhjetor, në këtë dhjetor të ri të idealeve më të larta më të vendosur se kurrë të rithemelojmë partinë e dhjetorit ‘90 partinë e studentëve dhe të rinjve, partinë e lirisë së shqiptarëve dhe votës së lirë. Vijmë më të vendosur se kurrë se ashtu siç çmontuam 31 vite më parë diktaturën hoxhiste, të përmbysim narkoshtetin e Ramës dhe pengun e tij, Lulzim Basha, të rikthejmë në Shqipëri, vlerat konservatore, vlerat e lirisë, të rikthejmë për shqiptarët votën e lirë, dinjitetin njerëzor, hapjen e shpejtë të integrimit në BE, bashkëpunim e dinjitetin me vendet e mëdha, SHBA e vende të tjera të aleancës dhe BE. 11 dhjetori po vjen, është ditë e madhe e atyre që themeluan PD-në, e atyre që arritën të përmbysin diktaturën komuniste që ndërtuan Shqipërinë demokratike e atyre që në një moment kritik për pluralizmin politik u ngritën si feniksi dhe do të ndërtojnë më 11 dhjetor monumentin madhështor të pluralizimit dhe rithemelimin e PD-së”.
Ai ftoi të gjithë demokratët që të marrin pjesë në kuvendin e 11 dhjetorit, i cili do të mbahet në Air Albania.
“Nga ky shesh i historisë së madhe, ftoj të gjithë demokratët shqiptarë, delegatët e Kuvendit Kombëtar, ata që firmosën dhe jo të vijnë më 11 dhjetor në kuvendin e rithemelimit të PD-së që do të mbahet në Air Albania, do të mbahet aty, sepse do t'i japim mundësi shqiptarëve të njihen me çdo delegat që ka firmosur dhe do të firmosë rithemelimin e PD-së, si dhe pluralizmin politik dhe do t’u japim mundësi simpatizantëve tanë që me dëshirën e tyre të ndjekin këtë ngjarje madhështore të dhjetorit të ri, shpëtimin e PD-së dhe pluralizmit në Shqipëri”. (A2 Televizion)