
10003 persona kanë humbur jetën në Spanjë nga koronavirusi, 950 vetëm në 24 orët e fundit, raporton Ministria e Shëndetësisë. Numri i rasteve të konfirmuara ka arritur mbi 110 mijë, sipas të dhënave të fundit, ndërsa ai i të shëruarve në mbi 26700. Shifër edhe më alarmante është ajo e personave të shtruar në spitale, mbi 50 mijë, ndërsa më shumë se 6000 prej tyre janë në terapi intensive.
Kriza shëndetësore ka prekur rëndë edhe ekonominë spanjolle. Vetëm në muajin mars, 833979 persona kanë humbur vendet e punës, sipas të dhënave të autoriteteve atje.
Situata mbetet e rëndë edhe në Francë, ku autoritetet raportuan 509 viktima të tjera, duke e çuar totalin në 4032. E megjithatë pas një rritje të bilancit dy ditët e fundit, kurba e viktimave është ulur në Francë, vend i cili është në javën e tretë të izolimit në përpjekjen për të frenuar përhapjen.
Në Gjermani, masat kufizuese për distancimin social u zgjatën deri në fund të pushimeve për Pashkë, më 19 prill. Pas një video-konference me krerët e landeve, Kancelarja Angela Merkel tha se do të ishte shumë me keq që kufizimet të hiqeshin para kohe. Gjermania numëron mbi 73 mijë raste me Covid-19, por numri i viktimave është relativisht i ulët krahasuar me vendet e tjera, mbi 870. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Britaninë e Madhe, vende që shënoi 563 të vdekur në 24 orë. (A2 Televizion)