
Ashtu si Kina, edhe Spanja injoroi paralajmërimin e doktorëve lidhur me pandeminë koronavirus. Pas regjistrimit të rastit të parë më 31 janar, autoritetet në këtë shtet duhej të ishin shqetësuar, por kjo nuk ndodhi.
Shefi i emergjencës shëndetësore, Fernando Simon, këshilloi që të vazhdojë jeta normalisht duke mos marrë parasysh parashikimet e ekspertëve lidhur me përmasat që do të marrë përhapja e këtij virusi. Spanja numëron aktualisht më shumë viktima dhe të prekur se Kina, vend ku u shfaq fillimisht ky virus i ri.
Një tjetër problem që po has shëndetësia spanjolle është kapaciteti i limituar në trajtimin e pacientëve të infektuar dhe mungesa e pajisjeve mbrojtëse.
Infermierë dhe doktorë, publikuan imazhe të njëri-tjetrit duke prerë mbetje plastike, të cilat i përdornin si veshje mbrojtëse, teksa pohonin se situate është shumë e rëndë. Më shumë se 15 mijë anëtarë të personelit shëndetësor është infektuar me Covid-19 dhe nuk janë në gjendje të ndihmojnë pacientët.
Krahasuar me Italinë, një tjetër vend evropian që është gjunjëzuar nga pandemia, Spanja ka një përqindje më të lartë të të infektuarve në personelin mjekësor.
Sindikatat e shëndetësisë kanë ngritur padi ndaj shtetit duke i kërkuar që të zbatojë një ligj, i cili detyron autoritetet të sigurojnë masa mbrojtëse për personelin mjekësor brenda 24 orëve. Video të regjistruara me telefon sjellin pamje tepër dramatike: pacientë të oksigjenuar të shtrirë në korridoret e spitaleve pasi mungojnë shtretërit. Autoritetet spanjolle po tentojnë të sigurojnë mjetet e përshtatshme, por në këtë kohë krize globale, kjo duket thuajse e pamundur.
E sikur kjo të mos mjaftonte ka dhe një mungesë të theksuar në personelin shëndetësor, ku shumë mjekë dhe infermierë me simptoma të forta koronavirusi po detyrohen të punojnë derisa të dalë rezultati i testit të tyre. (A2 Televizion)