
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, u bëri thirrje njerëzve që të vaksinohen dhe të informohen rreth vaksinës anti-Covid vetëm nga burimet zyrtare.
Duke bërë një analizë të situatës së pandemisë në vend, Fico tha se ka një rritje të rasteve aktive në 2 javët e fundit, me një mesatare prej 222 rastesh për 100 mijë banorë. “Informohuni nga burimet zyrtare. Kemi vënë re që qytetarët nuk i drejtohen burimeve zyrtare të informacionit”, tha Fico.
Sa i përket procesit të vaksinimit, Fico tha se totali i dozave të administruara është 1 860 335; 991 371 me një dozë dhe 868 964 me dy doza.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, tha se në Shqipëri kanë mbërritur mbi 2,2 milionë vaksina, ndërsa mbulesa vaksinale për personat mbi 18 vjeç është 44%. Edhe Bino bëri apel për vaksinimin e popullsisë. “Ngarkesa virale është më e ulët te personat e vaksinuar. Covid nuk ka besë, mund të kemi forma të rënda. Covid dëmton, vaksina nuk dëmton”, tha ajo. (A2 Televizion)