
Ka arritur në 2,189 numri i viktimave nga tërmeti tragjik që tronditi Haitin të shtunën e kaluar. Mediat ndërkombëtare, që citojnë autoritetet vendase raportojnë se aktualisht janë 12,000 të plagosur dhe 332 të zhdukur
"Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë, por jugperëndimi i vendit të Karaibeve është në kaos, me viktimat e tërmetit që duhet të përballen me motin e keq të shkaktuar nga kalimi i Uraganit Grace”, thanë zyrtarët.
Presioni për një përgjigje të koordinuar ndaj tërmetit vdekjeprurës të fundjavës në Haiti u rrit të mërkurën pasi shumë trupa u nxorën nga rrënojat dhe të plagosurit po shtoheshin në kërkim të kujdesit mjekësor. Ndihmat po dilnin ngadalë për të ndihmuar mijëra të mbetur pa shtëpi.
“Ne kemi rreth 600,000 njerëz të prekur drejtpërdrejt dhe kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme humanitare," tha Jerry Chandler, drejtor i Mbrojtjes Civile të Haitit.
Turma të zemëruara u grumbulluan në ndërtesat e shembura, duke kërkuar mundësi për të krijuar strehimore të përkohshme që ishin të nevojshme më shumë se kurrë, pasi Stuhia Tropikale Grace solli shi të fortë të hënën dhe të martën, duke shtuar mjerimin e kombit të varfër të Karaibeve.
Zyrtarët thanë se tërmeti me magnitudë 7.2 goditi më shumë se 7,000 shtëpi dhe dëmtoi rreth 5,000, duke lënë rreth 30,000 familje të pastreha. Spitalet, shkollat, zyrat dhe kishat gjithashtu u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë.
Tërmeti shkatërroi shumë nga burimet e ushqimit dhe të ardhurave nga të cilat shumë të varfër varen për mbijetesë në Haiti, i cili tashmë po lufton me koronavirusin, dhunën e bandave dhe vrasjen e Presidentit Jovenel Moïse më 7 korrik. (A2 Televizion)