Mbi 360 mijë raste në Afrikën e Jugut, OBSH e shqetësuar: Covid-19 mund të përhapet me shpejtësi në kontinent

Nga A2 CNN
20 Korrik 2020, 22:06 | Bota
Mbi 360 mijë raste në Afrikën e Jugut, OBSH e shqetësuar:

Mbi 364 mijë persona janë raportuar të prekur nga koronavirusi në Afrikën e Jugut, duke shënuar një rritje të madhe gjatë javës së fundit. Këto shifra kanë bërë që zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë të ngrenë alarmin, pasi rrezikohet që Covid-19 të përhapet me shpejtësi në të gjithë kontinentin Afrikan.

“Ndërsa Afrika është duke u përballur me një situatë të rëndë, unë mendoj se kjo mund të jetë një rrezik i madh për të gjithë kontinentin, nëse nuk merren veprime urgjente për të siguruar mbështetje ndaj shteteve”, tha të hënën Dr. Mike Ryan, zyrtar i OBSH.

Afrika e Jugut renditet e pesta në botë për numrin e personave të prekur me koronavirus. Ryan u shpreh se rastet janë rritur me 30% vetëm gjatë javës së fundit në Afrikë.

“Ndonjëherë, kjo sëmundje mund të largohet shumë shpejt, por në raste të tjera përhapja mund të jetë e ngadaltë dhe më pas të përshpejtohet. Është shumë e vështirë të kuptohet plotësisht sjellja e këtij virusi”, ka thënë Ryan.

Ai vuri në dukje se rastet janë rritur edhe në shtetet e tjera afrikane gjatë ditëve të fundit edhe pse shifrat janë ende në nivele të ulëta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos