
Numri i viktimave nga tërmeti që goditi Turqinë juglindore dhe veriun e Sirisë më 6 shkurt i ka tejkaluar 50 mijë persona.
Të paktën 43.556 njerëz humbën jetën nga tërmeti në Turqi, tha ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, ndërsa në rajonet e prekura të Sirisë veriore humbën jetën rreth 6.700 njerëz, sipas të dhënave nga mjekët dhe zyrtarët
Nga tërmeti shkatërrimtar i 6 shkurtit me magnitudë 7.8 numri i të plagosurve vlerësohet të jetë mbi 120 mijë.
Ministri i Brendshëm turk Soylu deklaroi gjithashtu se ka pasur 7,930 pasgoditje pas tërmetit të parë të 6 shkurtit dhe se më shumë se 600,000 apartamente dhe 150,000 objekte tregtare kanë pësuar dëme.
Ndërkohë qeveria turke po punon për ndërtimin e shtëpive të parafabrikuara dhe në fazën e parë do të ngrihen 15,000 shtëpi me kontejnerë në një hapësirë të madhe të hapur.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se Turqia do të fillojë ndërtimin e më shumë se 200,000 shtëpive që në fillim të muajit të ardhshëm në zonat e shkatërruara nga tërmetet e dyfishta dhe procesi do të përfundojë brenda një viti. (A2 Televizion)