
Lulzim Basha e ka nisur mbledhjen e Këshillit Kombëtar me një kërkesë faljeje drejtuar jo vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët. Ai tha se PD-ja në vend që të luftonte për interesat e vendit, ka luftuar për karrige dhe zyra brenda vetes.
“Bashkëatdhetarët tanë e kanë humbur shpresën. Ata kthyen sytë nga qeveria por nuk shohin shpresë. Unë e di që i kthyen sytë nga ne, dhe pritën të bëheshim zëri i tyre. Por ne luftuam njëri-tjetrin në vend që të luftonim për njerezit. Për ju.
Ne luftuam për mure dhe godina, në vend që të luftonim për shtëpitë e boshatisura të shqiptarëve. Për shtëpitë tuaja. Në luftuam për karrike dhe zyra, në vend që të luftonim për vende pune për të rinjtë dhe të rejat tona. Për mirëqenien tuaj.
Ne ju lamë në mëshirën e një qeverie që i keqtrajton demokratët, i demotivon të rinjtë, i përçmon shqiptarët. Në mëshirën e një qeverie që ju abuzon përditë.
Do ishte e lehtë të bëja atë që bëjnë të tjerët prej vitesh, të hidhja fajin diku tjetër, të fajësoja këdo. Por kjo do të ishte hipokrizi. Do të ishte shtirje. Nuk kam ardhur sot të shtirem para demokratëve. Sot, unë ju kërkoj ndjesë të thellë demokratëve, dhe në emër të demokratëve, në emër të Partisë Demokratike i kërkoj ndjesë shqiptarëve”, tha Basha.
Basha nuk i ka kursyer dhe akuzat për Sali Berishën, i cili është kthyer në kundërshtarin e tij kryesor.
“E di që në mendjet tuaja ka patur shumë pyetje që kërkonin përgjigje; mbi vendimet e të shkuarës, mbi qëndrimin për non-gratën, të cilave koha tashmë ju ka dhënë përgjigje. Sepse në fakt koha është treguesi më i mirë i vërtetësisë dhe drejtësisë së kauzave tona. Unë i kam marrë përgjegjësitë e mia si kryetari i PD, por një gjë dua të ndaj me ju sot: unë trashëgova një parti të transformuar nga partia e studentëve të dhjetorit në atë të një njeriu te vetëm. Nga partia e lirisë dhe demokracisë në parti të diktatit personal. Kjo merr fund sot njëherë e përgjithmonë! Ne nuk duhet të harxhojmë më asnjë sekondë me të shkuarën”, tha ai.
Për këtë arsye, ai tha se tashmë ka ardhur koha për një fillim të ri duke premtuar se PD do të rikthehet një një alternativë qeverisjeje.
“Arsyeja pse jemi këtu bashkë, arsyeja pse ekzistojmë si forcë politike është që t’ju shërbejmë njerëzve, jo vetes tonë! Qëllimi pse ekzistojmë është që t’ju ofrojmë shqiptarëve alternativë për qeverisjen e tyre, zgjidhje për problemet e tyre, rrugëdalje për hallet e tyre, vizion për të ardhmen e tyre. Dhe këto do të jenë udhërrëfyes i rrugës së re që nisim bashkë sot”, përfundoi Basha. (A2 Televizion)