Mblidhet katërshja e Indo-Paqësorit, Biden: Lufta në Ukrainë është shqetësim global

Nga A2 CNN
24 Maj 2022, 12:56 | Bota
Mblidhet katërshja e Indo-Paqësorit, Biden: Lufta në Ukrainë

“Bota po lundron në orë të errëta të historisë sonë të përbashkët”. Kështu iu drejtua Presidenti amerikan, Joe Biden, liderëve aleatë kryesorë të tij në Azi, duke folur për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Në fjalimin në fillim të samitit të katërshes së Indo-Paqësorit në Tokio, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ky takim zhvillohet në kuadër të betejës së “demokracive kundër autokracive” dhe nënvizoi se duhet të sigurohen që t’ia dalin të fitojnë. Bashkë me liderët e Japonisë, Australisë dhe Indisë, për herë të parë që kur mori detyrën, Presidenti amerikan theksoi rëndësinë e ruajtjes së rendit ndërkombëtar përballë luftës që është shndërruar në çështje globale.

“Për sa kohë që Rusia vijon këtë luftë, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët për të ndihmuar në organizimin e një reagimi, pasi do të prekë të gjitha pjesët e botës. Në të njëjtën kohë, SHBA-ja duhet dhe do të qëndrojë një partner i fuqishëm, i palëkundur dhe i qëndrueshëm në Indo-Paqësor”, tha Biden.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, mbështeti këtë deklaratë duke shtuar se një luftë e tillë nuk duhet të ndodhë në Azi. Aleanca joformale mes vendeve e njohur si “Katërshja”, diskutuan për çështje që lidhen me sigurinë dhe shqetësimet ekonomike, përfshirë rritjen e ndikimit të Kinës në rajon dhe dallimet për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Samiti vjen pasi Biden paralajmëroi Pekinin se po “flirton me rrezikun” për Tajvanin dhe u zotua ta mbronte shtetin ishull edhe ushtarakisht nëse Kina do ta sulmonte. Marrë shkas nga kjo, aleancat e katër vendeve njoftuan një iniciativë për një monitorim detar për të mbikëqyrur aktivitetet e vendit komunist në rajon, si dhe një plan prej 50 miliardë dollarësh për projektet e infrastrukturës dhe investimeve në 5 vitet e ardhshme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos