Është mbledhur këtë të martë Këshilli Kombëtar i Integrimit, për të diskutuar mbi procesin e negociatave mes vendit tonë dhe Bashkimit Europian.
Rasti bëri bashkë Presidentin Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama, të cilët patën edhe një takim me bërryla, siç është bërë zakon në kushte pandemie. Në mbledhjen e kryesuar nga Rudina Hajdari, kryetare e Këshillit të Integrimit, ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca dhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
“Ecja përpara në rrugën europiane kërkon së pari dhe mbi të gjitha një sjellje europiane, ku duhet të mbizotërojë dialogu, bashkëpunimi gjithëpërfshirës, dhe ndërtimi i urave të mirëbesimit ndërmjet institucioneve dhe me qytetarët. Zbatimi i vërtetë i kushteve, që kanë ardhur në rritje, dhe i detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duhen marrë më seriozisht”, tha Presidenti në fjalën e tij.
“Vetëm një proces i besueshëm, ku vullneti politik vihet në shërbim të vendit dhe interesave madhore, do të mund të parandalojë krizat e njëpasnjëshme toksike që fatkeqësisht kanë minuar besimin e qytetarëve dhe dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e Bashkimit Europian, që thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme”. (A2 Televizion)