Mblidhet Kryesia e PS, Balla: Në Kongres do miratojmë dhe axhendën për zgjedhjet 2021

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2020, 10:43 | Politikë
Mblidhet Kryesia e PS, Balla: Në Kongres do miratojmë dhe

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla doli në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, në të cilën u diskutua edhe njëherë për organizimin e Kongresit që pritet të mbahet në fund të këtij muaji.

Numri dy i PS deklaroi se në Kongres pritet të miratohet dhe axhenda e veprimtarisë politike të PS, brenda së cilës do të përfshihen dhe zgjedhjet e 30 qershorit 2021, duke rrëzuar edhe njëherë zërat dhe kërkesat e opozitës për zgjedhjet të parakohshme.

“Në Kongresin e Partisë Socialiste ne do të miratojmë dhe një axhendë të veprimtarisë dhe aktivitetit politik të PS. Biem të gjithë dakord që gjithmonë në këto 29 vite kongreset e PS kanë qenë momente të rëndësishme në jetën politike të vendit. Dhe në axhendën politike që do të miratojmë, këtë vit do të ketë një lloj ndryshimi, sepse axhenda politike nuk përmbyllet më 31.12 2020, por në 30 qershor të vitit 2021. Afat brenda të cilit ne parashikojmë të organizohet dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021”, tha Balla.

I pyetur nëse do të ushtrojë presion mazhoranca ndaj presidentit për organizimin e zgjedhjeve në ato bashki të vendit ku nuk ka kryetar, Balla u përgjigj se kreu i Shtetit është vënë në dijeni nga prefektët për vakancën dhe duhet të zbatojë Kushtetutën.

“Presidenti i Republikës ka qenë dhe mbetet në moszbatim të detyrave kushtetuese që ka. Ai është vënë në dijeni nga institucionet përkatëse vendore, siç është Prefekti i qarkut lidhur me vakancën e krijuar. Është presidenti i Republikës që duhet të zgjohet dhe të zbatojë Kushtetutën”, përfundoi Taulant Balla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos