
Rreth 8000 ushtarë të Ushtrisë Britanike do të marrin pjesë në stërvitjet e planifikuara në të gjithë Evropën Lindore në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë, në një nga dislokimet më të mëdha që nga Lufta e Ftohtë. Lajmi raportohet nga “Guardian” që citon Ministrinë Britanike të Mbrojtjes.
Dhjetëra tanke do të vendosen nga tani deri në verë në vendet e Evropës Lindore, nga Finlanda në Maqedoninë e Veriut, sipas planeve të zhvilluara pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Dhjetëra mijëra ushtarë nga NATO dhe aleanca e Forcave të Përbashkëta Ekspeditore, e cila përfshin Finlandën dhe Suedinë, do t'i bashkohen stërvitjeve.
Ministria e Mbrojtjes e Londrës tha se aksioni ishte planifikuar prej kohësh, por ishte rritur në përgjigje të pushtimit rus në fund të shkurtit.
Angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar pritet të arrijë në rreth 8000 njësi të cilat do të zhvendosen në kontinentin e Evropës nga tani deri në qershor. (A2 Televizion)