
Mjaftoi një deklaratë e presidentit rus, gjatë takimit me sekretarin e OKB-së, Antonio Guterres, ku përmendi si precedent Kosovën, që iu referua si shtet i pavarur, që mediat serbe ta portretizonin negativisht Putinin.
Disa tabloidë si Blic apo Srbski Telegraf shtrojnë tezën se Putin i ka harruar serbët dhe Kosovën për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa shprehen se ai e goditi Serbinë pas shpine.
Ndërsa “Kurir” në ballinë shkruan “Interesi lakuriq: Putini mbron interesat në Donetsk dhe Luhansk me interesin e tij, pa marrë parasysh pozicionin e Serbisë në Kosovë”.
Në takimin me Guterres, Putin tha se e kishte parë mirë historikun e pavarësisë së Kosovës dhe pse të mos ndodhte e njëjta gjë edhe me Donetskun apo Luhanskun, rajone në jug të Ukrainës, por që tashmë federata ruse i ka njohur zyrtarisht si të pavarura. (A2 Televizion)