
Skënderbeu është një ndër skuadrat më aktive të kësaj merkatoje. Bardhekuqtë zyrtarizuan edhe blerjen e tretë, malazezin Idriz Toskic.
Një tjetër mesfushor dhe më shumë zgjedhje për trajnerin Shehi i cili më herët ka afruar edhe 2 lojtarë të tjerë të të njëjtit pozicion. 23-vjecari Toskic më herët ka qenë pjesë edhe e italianëve të Barit ndërkohë që ka firmosur për 1 vit e gjysmë me kampionët e Shqipërisë.
Mesfushori i është bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje në kuadër të përgatitjeve për duelin ndaj Partizanit.
Partizani afron një ‘amerikan’, Dilaver Duka vishet i kuq
Ndërkohë, edhe Partizani nuk mbetet pas sa i përket dritares së transferimeve. Të kuqtë kanë prezantuar gjithashtu futbollistin e tyre më të ri që i bashkohet skuadrës në prag të rinisjes së kampionatit.
Dilaver Duka, mesfushori me origjininë shqiptare, karriera e të cilit i përket vetëm kampionatit amerikan të fubollit do të jetë pjesë e Partizanit deri në fund të sezonit me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.
Duka luan në rolin e mesfushorit anësor dhe më herët ka qenë pjesë e skuadrave të njohura si Nju Jork Red Bull apo Çikagos ndërsa tashmë kërkon të provojë për herë të parë një eksperiencë në kampionatin shqiptar. (A2 Televizion)