
Kontrata e sterilizimit është në hetim nga SPAK, por për kryeministrin Edi Rama kjo nuk cenon aspak suksesin e saj, por ofron siguri që kush shkel ligjet, do të ndëshkohet nga drejtësia. Ai e quajti këtë kontratë PPP (Partneritet Publik Privat) si një nismë madhore të qeverisë shqiptare, me të cilin shëndetësia shqiptare ka rilindur.
“Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cënon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët”, tha Rama.
Në një inspektim në spitalin "Shefqet Ndroqi", Rama renditi arsyet se përse e quan këtë kontratë një sukses.
“Spitali Universitar "Shefqet Ndroqi" - Në një nga 17 centralet e reja të krijuara falë PPP-së së sterilizimit, që kanë garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, duke e kthyer njëherë e mirë faqen e turpit e të pasigurisë në sallat e operacioneve, duke ulur në minimum fenomenin e vjetër të infeksioneve post-operatore si pasojë e mungesës së sterilizimit të vërtetë, si edhe duke i kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve”, shtoi ai.
Prej disa javësh me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit përfunduan në qeli ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Në vendimin e izolimit të tyre Gjykata e Posaçme evidentonte shkelje ligjore të kryera edhe nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
(A2 Televizion)