Mbron nga varianti origjinal dhe Omicron, Britania e Madhe aprovon vaksinën e re kundër koronavirusit

Nga A2 CNN
15 Gusht 2022, 16:04 | Bota
Mbron nga varianti origjinal dhe Omicron, Britania e Madhe aprovon vaksinën

Britania e madhe bëhet vendi i parë që aprovon një vaksinë kundër Covid-19, e cila është krijuar për të mbrojtur si nga varianti origjinal ashtu edhe ai Omicron i virusit.

Autoriteti Rregullator i Barnave dhe Shëndetësisë në vend, MHRA, i dha dritën jeshile të ashtuquajturës, vaksina bivalente e krijuar nga kompania amerikane Moderna, si dozë përforcuese për të rriturit.

Vendimi i agjencisë u bazua tek të dhënat e testeve klinike që treguan se vaksina ishte e sigurt dhe gjeneronte një përgjigje të fortë imunitare si kundër nënvariantit BA.1 të Omicron, ashtu edhe atij origjinal që u përhap në vitin 2020.

Sipas eksperimentit të kryer tek 437 persona, versioni i ri i vaksinës së Modernës ofronte mbrojtje edhe ndaj varianteve të Omicron që dominojnë aktualisht në botë BA.4 dhe BA.5.

Vaksina e përshtatur duhet të jetë e disponueshme për përdorim si dozë përforcuese nga vjeshta. Moderna ka thënë se mund të nisë me furnizimin e dozave javët e ardhshme dhe personat mbi 50 vjeç dhe ata që bëjnë pjesë në grupet e rrezikuar mund të jenë të parët që do të përfitojnë.

Por edhe pse vaksina ofron mbrojtje më të mirë kundër varianteve të njohura, ende nuk dihet se sa e efektshme mund të jetë ajo ndaj varianteve që mund të shfaqen gjatë muajve në vazhdim.  

Përveç Modernës, edhe kompania tjetër amerikane Pfizer po zhvillon vaksina që do të shënjestrojnë Omicron.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos