
Emigrantët që duan të hyjnë në Britaninë e Madhe, përfshirë shqiptarët, do ta kenë më të vështirë të kalojnë Kanalin e La Manshit nga Franca drejt shtetit ishull. Sipas një ujdie të nënshkruar të hënën mes Londrës dhe Parisit, e që ministrja e Brendshme Suela Bravermann, e cilësoi një fitore, Franca do të ashpërsojë patrullimet dhe masat kundër emigracionit të paligjshëm, në këmbim të një fondi vjetor prej 72,2 milionë eurosh nga Britania e Madhe.
Siç bëhet e ditur, një task-forcë e re do të ngrihet për të adresuar rritjen e numrit të shqiptarëve dhe grupeve të krimit të organizuar që po shfrytëzojnë itineraret e paligjshme drejt Europës perëndimore.
“Duhet të reduktojmë në mënyrë të konsiderueshme numrin e personave që kalojnë kanalin. Prandaj jam shumë e lumtur që vizitova Parisin sot për të nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi me francezët, për të luftuar këtë problem”, tha Bravermann.
Marrëveshja e firmosur nga Braverman dhe homologu francez Gerald Darmanin, parashikon rritje me 40 për qind të numrit të forcave që patrullojnë plazhet; staf britanik do t’i bashkohen dhomave franceze të kontrollit për herë të parë për të parandaluar kalimet e rrezikshme me gomone, ndërsa numri I atyre që kanë ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm këtë vit I ka tejkaluar 40 mijë.
“Pikë së pari, policë britanikë në tokën franceze do të vëzhgojnë punën ose do të bashkëpunojnë me efektivët francezë për të evidentuar dhe ndaluar emigrantët e paligjshëm të largohen nga Franca. Do të ketë një rritje prej 40 për qind te numrit të xhandarëve që do të patrullojnë plazhet e Francës dhe do të ketë më shumë bashkëpunim sa I përket sundimit të ligjit e ndarjes së informacioneve të inteligjencës, ne mënyrë që grupet e organizuara kriminale të ndalohen dhe shkatërrohen”, tha Darmianin.
Masatë tjera që parashikohen ne ujdinë e firmosur në Paris, janë investimet në kamera të sigurisë, qenve zbulues, helikopterëve dhe dronëve me shikueshmëri të lartë gjatë natës. Megjithatë nuk do të ketë patrullime të përbashkëta mes francezëve dhe britanikëve, pasi Parisi e kundërshtoi idenë.
Kryeministri Rishi Sunak tha se ka besim që numri i varkave të vogla që kalojnë kanalin do të ulet me kalimin e kohës. (A2 Televizion)