Mbyllja e kufijve, shqiptarët vijojnë të qëndrojnë të bllokuar në Kapshticë

Nga A2 CNN
6 Prill 2020, 11:34 | Aktualitet
Mbyllja e kufijve, shqiptarët vijojnë të qëndrojnë

Dhjetëra shtetas shqiptarë vazhdojnë të presin në qiell të hapur në zonat neutrale të kufirit tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Më problematike duket situata në doganën e Kapshticës, ku 25 shtetas shqiptarë vazhdojnë të qëndrojnë në pritje, pasi autoritetet nuk lejojnë futjen e tyre në Shqipëri, për shkak të mbylljes së kufijve si masë e kushtëzuar nga pandemia botërore e koronavirusit.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, disa prej të bllokuarve në Kapshticë janë transportuar në spitalin e Bilishtit, pasi kanë shfaqur probleme shëndetësore për shkak të temperaturave të ulëta.

Të tjerë persona kanë bllokuar kalimin e kamionëve, duke u përleshur edhe me policinë. Autoritetet e kufirit shprehen se nuk mund të kryejnë asnjë veprim me personat e ngelur në zonën neutrale, pasi sistemi doganor është mbyllur dhe nuk mund të procedohet me përpunimin e pasaportave.

Ndërkohë, e njëjta situatë, ndonëse me numër më të vogël, paraqitet edhe në doganën e Kakavijës. Në këtë zonë neutrale mësohet se gjatë natës kanë qëndruar jashtë 7 persona, të cilët më pas janë kthyer në Janinë të Greqisë. Për zgjidhjen e kësaj problematike në pikat kufitare pritet një vendim nga Ministria e Brendshme, pasi shtetasit e bllokuar nuk mund të kthehen më as në tokën greke pasi u ka kaluar afati tre mujor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos