
“Më kujton Titanikun”. Kështu e përshkruan eksperiencën e saj me përmbytjet që i kthyen në lumë rrugët e Seulit, një banore e kryeqytetit të Koresë së Jugut. Në lagjen e famshme të Gangam, godina dhe dyqane u përmbytën dhe mbeten pa energji elektrike, ndërsa automjete, autobusë, rrugë dhe stacione metroje u zhytën në ujë duke lënë qytetarët e bllokuat.
“Nuk mund ta besoj se isha e bllokuar në godinë bashkë më 40 persona të tjerë në mesin e lagjes Gangam, për shkak të përmbytjeve. Më kujtoi Titanikun, isha kaq e frikësuar”, tha Lim Na-Kyung.
Bilanci i përmbytjeve është të paktën 8 viktima dhe rreth 14 të plagosur. Disa zona përjetuan nivelin më të madh të reshjeve në 80 vjet, sipas agjencisë meteorologjike në Korenë e Jugut. Distrikti i Dongjak regjistroi më shumë se 141.5 milimetra shi për orë, niveli më i lartë që prej 1942-shit.
Pamjet tregojnë ujërat teksa derdhen poshtë shkallëve të metrosë, makinat e zhytura deri tek dritaret dhe qytetarët që kalojnë rrugën me ujin deri në gjunjë.
Sipas raportimeve, 3 nga viktima jetonin në apartamente gjysmë-bodrum, të njohura si banja. Një person humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike, një viktimë u gjet në stacionin e shkatërruar të një autobusi ndërsa një tjetër vdiq pas rrëshqitjes së dheut. Mbi 6 persona janë shpallur të humbur. (A2 Televizion)